Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

MEI zhvillon konsultimin me palët e interesit për ndryshimet në ligjin “Për ndihmën shtetërore”

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit,  në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me Kapitullin 8 “Politika e Konkurrencës”, zhvilloi konsultimin me palët e interesit nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9374, datë 21.04.2005, ‘Për ndihmën shtetërore’”.

Takimi u drejtua nga zëvëndësministri i MEI, Enkelejd Musabelliu, dhe kishte si objektiv prezantimin e ndryshimeve të propozuara në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe mbledhjen e komenteve dhe rekomandimeve nga grupet e interesit.

Gjatë konsultimit u prezantuan risitë kryesore të projektligjit, i cili synon reformimin e sistemit të kontrollit të ndihmës shtetërore përmes krijimit të një Autoriteti të Pavarur për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore. Institucioni i ri do të ketë kompetenca të zgjeruara hetimore, mbikëqyrëse dhe ndëshkuese, duke garantuar një sistem më efektiv dhe më të pavarur të monitorimit të ndihmës shtetërore.

Projektligji parashikon gjithashtu masa për forcimin e transparencës, përfshirë publikimin e vendimeve dhe raportimin periodik në Kuvend, si dhe krijimin e një regjistri elektronik për ndihmën shtetërore. Një element i rëndësishëm i reformës është sigurimi i autonomisë buxhetore të autoritetit të ri, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit u njohën me ndryshimet e propozuara dhe kontribuan me komente dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të draftit. Gjatë diskutimeve u evidentua edhe nevoja për forcimin e komunikimit dhe informimit të grupeve të interesit mbi nismat ligjore, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset konsultative.

Palët e interesuara do të paraqesin komentet e tyre me shkrim, të cilat do të shqyrtohen dhe reflektohen në procesin e rishikimit të draftit. Pas përfundimit të konsultimeve dhe konsolidimit të projektligjit, dokumenti do të procedohet për miratim sipas procedurave përkatëse.

Ky projektligj përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian për Kapitullin 8 dhe në forcimin e kuadrit institucional dhe ligjor për kontrollin e ndihmës shtetërore në Shqipëri.

FOTO ALBUM