Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

NJOFTIM PËR SHPREHJE INTERESI

Për përzgjedhjen e një partneri zbatues nga Sistemi i Kombeve të Bashkuara për ofrimin e asistencës teknike në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI) fton Agjencitë, Fondet dhe Programet e Sistemit të Kombeve të Bashkuara (United Nations System Entities) të shprehin interesin për të bashkëpunuar si partner zbatues në ofrimin e asistencës teknike për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.

Programi synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në rritjen e aksesit në financim, zhvillimin e kapaciteteve sipërmarrëse dhe realizimin e investimeve produktive, në përputhje me prioritetet e zhvillimit ekonomik të vendit.

Partneri zbatues pritet të mbështesë MEI në:

  • mobilizimin e ekspertizës kombëtare dhe ndërkombëtare;
  • ofrimin e asistencës teknike për përgatitjen e planeve të biznesit dhe projekteve të investimit;
  • zhvillimin e aktiviteteve trajnuese dhe informuese për bizneset;
  • koordinimin dhe monitorimin e komponentit të asistencës teknike të programit.

Organizatat e interesuara duhet të kenë mandat dhe eksperiencë të provuar në zhvillimin e sektorit privat, mbështetjen e NVM-ve, menaxhimin e programeve të asistencës teknike dhe bashkëpunimin me institucionet publike.

Vlera e parashikuar e bashkëpunimit për komponentin e asistencës teknike është deri në 800.000 euro, në varësi të projekt-propozimit, planit të punës dhe marrëveshjes që do të lidhet me partnerin e përzgjedhur.

Dokumentacioni i kërkuar

  • Letër shprehjeje interesi;
  • Përshkrim të mandatit dhe ekspertizës së organizatës;
  • Përmbledhje të përvojës në programe të ngjashme;
  • Koncept të shkurtër mbi mënyrën e zbatimit të komponentit të asistencës teknike;
  • Të dhënat e personit të kontaktit.

Shprehjet e interesit duhet të dërgohen në adresën elektronike info@ekonomia.gov.al , brenda 7 ditëve nga dalja e njoftimit.

Ky publikim nuk përbën procedurë prokurimi publik, por synon identifikimin e një partneri të përshtatshëm për bashkëpunim institucional. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit rezervon të drejtën të zhvillojë diskutime me organizatën ose organizatat që vlerësohen se disponojnë ekspertizën dhe kapacitetet më të përshtatshme për realizimin e objektivave të programit.