Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ibrahimaj: Turizmi detar dhe investimet strategjike, shtysë për zhvillimin ekonomik të vendit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në seancën plenare, theksoi rolin kyç të sektorit të turizmit në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rëndësinë e ndërhyrjeve ligjore për të mbështetur rritjen e mëtejshme të këtij sektori.

Duke prezantuar projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007 “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, si dhe duke iu referuar zhvillimeve të viteve të fundit, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj, nga 6.4 milionë në vitin 2019 në mbi 12 milionë aktualisht. Sipas saj, ky progres është rezultat i politikave të qëndrueshme mbështetëse, përfshirë përmirësimet në legjislacionin fiskal dhe rritjen e investimeve në infrastrukturën turistike.

Ministrja bëri të ditur se sektori turistik ka gjeneruar rreth 5.7 miliardë euro shpenzime, ndërsa numri i netëqëndrimeve nga të huajt ka arritur në 7.14 milionë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme. Po ashtu, sektori siguron rreth 270 mijë vende pune dhe kontribuon ndjeshëm në të ardhurat buxhetore.  Megjithatë, ajo theksoi se mbeten ende sfida përpara, si zgjatja e sezonit turistik, rritja e netëqëndrimeve dhe diversifikimi i ofertës turistike. Në këtë kuadër, Ibrahimaj vlerësoi potencialin e turizmit detar dhe nevojën për zhvillimin e infrastrukturës përkatëse, përfshirë ndërtimin e marinave turistike sipas standardeve rajonale.

Në fjalën e saj, Ministrja mbështeti nismën ligjore të paraqitur, duke theksuar, se ajo synon të zgjidhë mbivendosjet ekzistuese ndërmjet procedurave për koncesionet dhe atyre për investimet strategjike. Sipas saj, projektligji do të mundësojë përshpejtimin e realizimit të projekteve strategjike, duke shmangur vonesat administrative dhe paqartësitë institucionale.

Ajo sqaroi se, në rastet e investimeve strategjike të miratuara, ndërtimi dhe operimi i porteve turistike do të realizohet nga vetë investitori strategjik, pa iu nënshtruar procedurave të përgjithshme koncesionare, duke garantuar njëkohësisht transparencë dhe respektim të kuadrit ligjor në fuqi.

Ministrja theksoi se ndryshimet e propozuara nuk cenojnë standardet ligjore apo kontrollin institucional, por synojnë thjeshtimin e procedurave për projekte të integruara turistike, që përfshijnë resorte, hotele dhe marina.

Në përfundim, ajo nënvizoi se zhvillimi i turizmit detar është një mundësi e rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke kontribuar në rritjen e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së vendit si destinacion turistik.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit i bëri thirrje deputetëve të mbështesin këtë nismë ligjore, e cila synon të lehtësojë zhvillimin e sektorit dhe të nxisë investimet strategjike në turizëm.

 

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në seancë plenare:

E nderuar drejtuese e seancës, të nderuar deputetë,

Është kënaqësi, në fakt, që të flas sot dhe të më jepet mundësia të flas për një sektor i cili ka qenë kyç në ecurinë e zhvillimeve ekonomike të vendit përgjatë gjithë pesëvjeçarit të fundit.

Nëse kthejmë kokën mbrapa, ne shohim që në vitin 2019, po përdor vitin 2019 pasi vitet 2020–2021 kanë qenë vite pandemie, me kufizime, ne kemi pasur gjithsej 6.4 milionë turistë të huaj. Megjithatë, vizioni ynë që në krye të herës ka qenë mbështetja e sektorit të turizmit. E kemi mbështetur sektorin e turizmit në shumë drejtime, me legjislacionin fiskal dhe me investime që janë bërë në këtë sektor, për të arritur në ditën ku jemi sot, ku në Shqipëri nga 6.4 milionë turistë që vinin në 2019, vijnë mbi 12 milionë turistë.

Vetëm në vitin e fundit, të dhënat për të ardhurat e gjeneruara nga sektori turistik janë domethënëse. Janë rreth 5.7 miliardë euro shpenzime turistike. Janë 7.14 milionë netë qëndrime nga të huajt, ose 37.9% më shumë. Janë 270,000 të punësuar në sektorin e turizmit ose në aktivitete të lidhura me turizmin dhe janë 970 milionë deri në 1.23 miliardë të ardhura për buxhetin. Janë të dhëna të cilat konfirmojnë se politikat tona për nxitjen e sektorit turistik kanë qenë politika të duhura, pasi Shqipëria tashmë është një destinacion për turizmin.

Megjithatë, kemi ende sfida përpara, kemi ende potencial për të rritur turizmin, për të rritur netë qëndrimet, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar llojin e turizmit që vjen në Shqipëri. Pikërisht në këtë kuadër, ligji që deputetja ka propozuar është mëse i mirëpritur. Turizmi detar është një turizëm i cili ka potencial të jashtëzakonshëm. Ne jemi duke zhvilluar një masterplan për marinat turistike, të cilat duhet të zhvillohen siç janë të zhvilluara në të gjithë vendet tona fqinje, në Greqi, në Mal të Zi dhe në Kroaci, pasi përbëjnë një të ardhur domethënëse në rritje për sektorin e turizmit, por janë edhe në linjë me strategjinë që kemi për zhvillimin e turizmit, që lidhet me tërheqjen e turizmit elitar, të turizmit që shpenzon më shumë në vendin tonë.

Në këto rrethana, siç thashë, nisma e ndërhyrjes ligjore të paraqitur nga deputetja Zamira Sinaj vjen në kohën e duhur, si një nevojë e domosdoshme me qëllim që kuadri ligjor mbi bazën e të cilit nxiten dhe mbështeten investimet në infrastrukturën turistike, dhe specifikisht ajo e porteve turistike, të jetë më funksional. Ndërtimi dhe operimi i porteve turistike, sipas ligjit nr. 9710 të vitit 2007, realizohet si rregull nëpërmjet procedurave të dhënies me koncesion ose formave të tjera konkurruese.

Nga ana tjetër, ligji për investimet strategjike parashikon procedura të asistuara dhe të veçanta, të cilat synojnë përshpejtimin e realizimit të projekteve me interes publik. Në rastet kur portet turistike janë pjesë integrale e projekteve strategjike turistike, këto dy procedura bien ndesh me njëra-tjetrën dhe krijojnë mbivendosje. Krijohen vonesa administrative në miratimin e projekteve dhe paqartësi kompetencash, duke ndikuar në ecurinë e investimeve.

Ky projektligj synon të adresojë këtë problematikë, duke përcaktuar se, në rastet e investimeve strategjike të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, ndërtimi dhe operimi i porteve turistike realizohet nga vetë subjekti që ka përfituar statusin strategjik, pa iu nënshtruar procedurës koncesionare të përgjithshme. Këtu nuk ka asnjë mungesë transparence. Ky rregullim garanton unitetin e projektit investues dhe mundëson zbatimin e plotë të procedurave të posaçme të parashikuara në ligjin e investimeve strategjike.

Efektet e pritshme nga miratimi i këtij projekti lidhen me përshpejtimin e realizimit të projekteve strategjike në zonat turistike, me rritjen e investimeve në këtë sektor, me krijimin e vendeve të reja të punës, me zhvillimin e qëndrueshëm rajonal dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar.

Projektligji parashikon shtimin e një paragrafi në nenin 6 të ligjit, me anë të të cilit përcaktohet se kur një subjekt ka përfituar statusin investitor apo investim strategjik, përmes procedurës së asistuar apo të veçantë, dhe porti ose portet turistike janë pjesë përbërëse e një investimi strategjik të miratuar nga Komiteti, ndërtimi dhe operimi i tyre përjashtohet nga procedura e përgjithshme e koncesionit dhe realizohet nga vetë subjekti investues. Megjithatë, të gjitha kushtet dhe kriteret do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu parashikohet që procedurat, rregullat dhe dokumentacioni për lidhjen e kontratës përkatëse të përcaktohen në vendim të Këshillit të Ministrave.

Shqipëria ka nevojë, siç e parashtrova më parë, për investime në këtë fushë, për investime në drejtim të zhvillimit të një sektori që ka bërë bum në pesë vitet e fundit. Kontrolli parlamentar nuk aplikohet as nëpër gara koncesionare, pra nuk bëhet fjalë këtu për heqjen e një fuqie të Parlamentit dhe dhënien e një fuqie ekzekutivit. Bëhet fjalë për një procedurë e cila thjeshton investimet në këtë sektor, aty ku investimet vijnë të bashkuara si investime strategjike në resorte, në hotele dhe marina turistike, që, siç thashë, janë një diversifikim i ofertës turistike në Shqipëri.

Shqipëria, siç thashë, ka nevojë për këto projekte strategjike. Së pari, sepse ekonomia detare është ndër elementët kyç të industrisë së turizmit dhe vazhdon të mbetet shumë pak e zhvilluar. Numri i vendeve të ankorimit në Shqipëri është shumë i ulët, duke bërë që vendi ynë të mos përfitojë nga të ardhurat dhe vendet e punës që mund të krijohen në të ardhmen. Së dyti, barkat dhe skafet që operojnë sot në vend operojnë në mungesë të porteve turistike, pra edhe në mungesë të kushteve të duhura të sigurisë për ofrimin e këtyre shërbimeve. Këta janë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e ngadaltë të këtij sektori, ku një ndër faktorët është edhe kuadri ligjor i cili nuk është i unifikuar.

Ndryshimi ligjor që ne paraqesim nuk nënkupton se marinat e jahteve apo portet turistike nuk do t’i nënshtrohen kuadrit ligjor në fuqi. Përkundrazi, ashtu siç parashikon ligji, për këto infrastruktura do të nënshkruhen kontrata sipas dokumentacionit që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, i cili është i bazuar në ligj.

Pra, nuk do të shpiken rregulla dhe kritere të reja. Do të hartohet një vendim i Këshillit të Ministrave në bazë të ligjit në fuqi për organizimin e porteve turistike. Ajo që bën ky ndryshim është thjesht heqja e procedurës konkurruese, dhe kjo vetëm për projektet që janë miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike apo që do të marrin statusin e investitorit strategjik, siç ndodh edhe në rastet kur ka TEDA apo elementë të tjerë. Pra, ligji i investimeve strategjike i jep të drejtën Komitetit të Investimeve Strategjike që të përcaktojë edhe një TEDA pa procedurë konkurruese, por edhe të japë një marinë pa procedurë konkurruese.

Çfarë mund të themi në këtë rast është që procedurat do të jenë transparente dhe do të jenë në dispozicion të publikut për të gjithë ata që do të kenë pyetje të mëtejshme. Qëndrimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit është pro kësaj nisme dhe unë do t’i kërkoja edhe deputetëve të Parlamentit ta votojnë pro këtë nismë, pasi i hap rrugën një zhvillimi më të lehtësuar dhe me më pak burokraci të turizmit detar, i cili është shumë i kërkuar.

Faleminderit!