Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj:

Sot jemi këtu për të folur për një kapitull të ri që duam të hapim për ëolitikat e strehimit.

E vërteta është që që nga viti 2018, kur ligji për strehimin u miratuar Qeveria shqiptare e ka parë strehimin si një politikë e cila i drejtohej shtresave në nevojë, si një politikë sociale shumë e rëndësishme dhe, mbi logjikën e një politike të drejtuar prej shtetit për shtresat në nevoje, ne kemi përdorur instrumente të ndryshme që ndër vite kanë rezultuar të suksesshme.

Që nga viti 2018, kur paketa ligjore e strehimit u miratua, deri më sot janë rreth 30 mijë familje shqiptare të cilat janë mbështetur nëpërmjet politikave të ndryshme të strehimit. Pra, 30 mijë familje do të thotë rreth 100 mijë banorë të cilët kanë përfituar nga politika subvencionesh, kryesisht, por jo vetëm.

Unë do të përmbledh një bilanc të këtyre politikave. Ne kemi pasur ndër vite kredi të lehtësuar për 7219 familje. Kemi pasur subvencionime qirash për 14,512 familje. Kemi ndërtuar 1058 banesa sociale dhe kemi përmirësuar banesat për 6078 familje shqiptare në të gjitha bashkitë e vendit. Ndërkohë, ka pasur dhe disa programe të cilat bashkitë i kanë mirëpritur për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës në zona të cilat kanë qenë më të prapambetura nga ana e investimeve dhe janë 1378 ndërhyrje që ne kemi bërë gjatë tre viteve.

Vetëm në vitin 2026 kemi hapur, para disa javësh, 300 kuota për kredi me normë interesi zero për punonjësit e administratës publike.

Gjatë vitit të kaluar janë 2000 kuota të cilat janë shpërndarë dhe po vazhdojnë të shpërndahen nëpër bashkitë e vendit për kredi me normë interesi të lehtësuar prej 3%. Ndërsa këtë vit, Bashkia e Tiranës ka shpallur thirrjen për 1500 kuota të tjera për kredi me normë interesi të lehtësuar.

Sot ne do të shpallim fituesit e programit për përmirësimin e kushteve të banesave. Janë 33 bashki të cilat kanë aplikuar në këtë program dhe 26 prej tyre u shpallën fituese. Një fond prej 700 milionë lekësh do të alokohet për të përmirësuar kushtet e banesave për 663 familje në të gjithë vendin, të cilat sigurisht janë familje dhe kategori në nevojë, sigurisht sipas logjikës së programit të strehimit që ne kemi zbatuar deri tani.

Por, nga viti 2018, kushtet e Shqipërisë kanë ndryshuar. Realiteti sot është komplet tjetër. Zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, zhvillimi urban na ndikojnë që ne të mendojmë për një politikë të re strehimi.

Qytetet kanë ndryshuar, tregu i punës ka ndryshuar dhe mbi të gjitha edhe tregu i banesave ka ndryshuar.

Nga Censusi i vitit 2023 ne kemi një panoramë shumë të qartë të mënyrës se si ka ndryshuar demografia e Shqipërisë. Ne kemi, në realitet, më pak banorë, por kemi më shumë familje. Numri i familjeve shqiptare në 11 vjet është rritur me 4,7% dhe kjo ka ndodhur sepse madhësia e familjes shqiptare ka ndryshuar.

Nëse në vitin 2011 madhësia e familjes shqiptare ishte mesatarisht 3,9 banorë, sot është me 3,2 banorë dhe peshën më të madhe të familjeve e zënë familjet me dy anëtarë dhe jo familjet me katër anëtarë, siç ishte më parë.

Nga ana tjetër, pëqëndrimi i popullsisë, ka ndryshuar lëvizjet migratore të popullsisë. Tirana është padyshim vendi me popullsinë më të dendur, me 32% të popullsisë së vendit, por edhe zonat e tjera të banuara kanë pasur një rritje të përqendrimit të popullsisë.

Nga ana tjetër, kemi një rritje të fortë të çmimeve, të ndikuar kryesisht nga kërkesa e lartë për banesa, por jo vetëm për banesa në qendrat e banuara, por edhe për banesa në qendra turistike të cilat janë zhvilluar kohët e fundit.

Demografia na paraqet këtë panoramë, ndërkohë që zhvillimi urban na paraqet një tjetër panoramë.

Ndërtimi po rritet me ritme të larta dhe rritja e ofertës, në fakt, nuk është përkthyer automatikisht në banesa më të përballueshme për qytetarët.

Pra, sfida jonë sot nuk është vetëm sa do të ndërtojmë, çfarë do të ndërtojmë, por është edhe ku do të ndërtojmë, si do ta planifikojmë ndërtimin më mirë, me qëllimin që planifikimi të jetë pjesë e një politike të përgjithshme për alokimin e burimeve aty ku ka më shumë nevojë, aty ku nevoja për punë është më e madhe, aty ku nevoja për qytetarë është më e madhe dhe aty ku zhvillimi ekonomik është më i lartë.

Çmimet e banesave, sigurisht që janë të ndikuara nga kërkesa dhe oferta, por ndërkohë ka nevojë për një politikë e cila i ndikon çmimet e banesave, me qëllim që të mos kujdesemi vetëm për qytetarët që janë të shtresave në nevojë, por të kujdesemi edhe për çiftet e reja, të kujdesemi për mjekun, mësuesin apo punonjësin e policisë që duhet të jetojë pranë vendit të punës, për të riun që largohet nga qyteti për të kërkuar një vend pune më të mirë në një qytet tjetër dhe për një pjesë të shtresës së mesme që, në fakt, nuk konsiderohet vulnerabël, por ka nevojë për një tjetër mbështetje dhe për një tjetër lloj politike strehimi, që nuk është vetëm strehim social, por është strehim i përballueshëm.

Prandaj ne duhet ta zgjerojmë konceptin e politikës sonë të strehimit dhe duhet të kalojmë nga një sistem ku kemi një numër instrumentesh të fragmentuara, në një sistem kombëtar të integruar të strehimit.

Një sistem, i cili lidh politikën e strehimit me planifikimin e territorit, me tokën publike, me zhvillimin urban, me transportin, me tregun e punës dhe, në tërësi, me zhvillimin ekonomik.

Një sistem që ndërtohet për nevojat e njerëzve pranë vendeve të punës, siç thashë, pranë shkollave, pranë transportit, pra aty ku kemi më shumë shërbime. Dhe instrumentet që ne do të ndërtojmë janë të drejtuara drejt këtyre nevojave.

Do ta fillojmë nga një arkitekturë më e qartë institucionale, ku ministria do të bëjë rolin e vet politikbërës. Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të zgjerojë kompetencat e saj dhe do të jetë krahu teknik i zbatimit të politikave të ministrisë, e cila do të identifikojë tokat publike, do të ndërtojë një pipeline kombëtar të projekteve, do të lidhë strehimin me zhvillimin urban dhe do të strukturojë edhe projektet që do të zbatohen nga bashkitë.

Bashkitë, sigurisht që janë krahu i qeverisjes në territor, do të identifikojnë nevojat, por gjithashtu edhe terrenet dhe territoret, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.

Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave do të transformohet në një shoqëri publike, e cila do të ndërtojë, por edhe do të menaxhojë të gjitha ndërtesat që ndërtohen për qëllime jo vetëm sociale tashmë, por edhe për qëllim të strehimit të përballueshëm.

Ne e shohim këtë politikë si një politikë e cila do të ndikojë gjerësisht në planifikimin tonë në të ardhmen dhe kjo duhet të shoqërohet me një tjetër politikë financimi të kësaj arkitekture të re të menaxhimit të politikës së strehimit.

Nëse sot ne kemi akumuluar një fond të konsiderueshëm nga 3%-shi që akumulohet nga zhvilluesit, jo vetëm në para, por edhe në sipërfaqe, ky 3% do të mblidhet në një fond kombëtar për strehimin social të përballueshëm, Ii cili do t’i bashkohet buxheti i shtetit për strehimin.

Fondit që alokohet për strehimin do t’i bashkohet gjithashtu administrimi i stokut të banesave.

Tashmë, të ardhurat nga qiratë apo nga shitjet e banesave të përballueshme do të ripërdoren përsëri për politika të strehimit dhe nuk do të shkojnë më në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për politika të tjera.

Ne mendojmë që ka ardhur momenti që ky ndryshim i rëndësishëm të ndodhë, që paratë të investohen në strehim, që ne të kujdesemi për të gjitha kategoritë të cilat janë në ndërtim të jetës së tyre, janë në kërkim të një banese, sepse, në fund të fundit, kultura jonë është një kulturë rrënjësisht e lidhur me pronën dhe me banesën.

Shqipëria është një nga ato vende që, pavarësisht se përqindja e pronarëve të banesave ka rënë në krahasim me 15 vite më parë, është ndjeshëm më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

Nëse ne sot kemi rreth 82% të familjeve shqiptare që e posedojnë një banesë, mesatarja e Bashkimit Europian është 68%. Ne duam të vijojmë të ruajmë këtë arkitekturë, ndonëse zhvillimet ndikojnë që ne të shkojmë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt asaj shpërndarjeje që Bashkimi Evropian ka.

Ndaj dhe ne kemi përgatitur një paketë ligjore dhe shumë shpejt do të dalim me instrumentet të cilat do të lançojmë.

Unë do të doja t’ia kaloj fjalën ministrit Për Pushtetin Vendor, i cili para disa javësh ka prezantuar paketën e madhe të “Rilindjes 2.0”, ku një komponent i rëndësishëm, sigurisht, në të gjithë komponentët e “Rilindjes 2.0”, është edhe politika e strehimit, apo “Strehimi 2.0”.

Faleminderit!