Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë vizitës zyrtare në Xhakartë, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e punësimit.
Memorandumi u nënshkrua nga ministrja Ibrahimaj dhe ministri për Mbrojtjen e Punëtorëve Migrantë të Indonezisë, Mukhtarudin, duke krijuar një kuadër të strukturuar bashkëpunimi për migracion të rregulltë, të sigurtë dhe të qëndrueshëm për punësim.

Marrëveshja synon të krijojë mekanizma të qartë për identifikimin e nevojave të tregut të punës, përzgjedhjen, përgatitjen dhe punësimin e punonjësve, në përputhje me legjislacionin e të dy vendeve dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Bashkëpunimi i ri i përgjigjet nevojave të ekonomisë shqiptare për fuqi punëtore, veçanërisht në sektorë me kërkesë të lartë si turizmi, prodhimi, ndërtimi, shërbimet dhe sektorë të tjerë strategjikë.

Gjatë takimit, ministrja Ibrahimaj vlerësoi Memorandumin duke theksuar, se ai krijon bazat për një partneritet afatgjatë në fushën e punësimit dhe adresimin e nevojave të tregut të punës. Ajo nënvizoi se Shqipëria e konsideron Indonezinë një partner të rëndësishëm në Azinë Juglindore dhe shprehu besimin se bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjelltë.

Vizita në Xhakartë, e para vizitë zyrtare në nivel ministror nga Shqipëria në Indonezi pas hapjes së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Xhakartë, shënon një etapë të re në marrëdhëniet dypalëshe dhe vijon angazhimin e nisur pas takimeve të zhvilluara në vitin 2024 ndërmjet Presidentit të Republikës së Indonezisë, Prabowo Subianto, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrit Edi Rama.

Në zbatim të Memorandumit, institucionet përgjegjëse të të dy vendeve do të hartojnë instrumentet e nevojshme zbatuese, të cilat do të përcaktojnë procedurat e bashkëpunimit, standardet e trajnimit dhe mekanizmat e monitorimit, me synim zbatimin efektiv të marrëveshjes dhe garantimin e përfitimeve për të dyja palët.

FOTO ALBUM